Kapiteni i Francës, Kylian Mbappe, ka shprehur dëshirën që trajneri aktual i “Les Bleus”, Didier Deschamps, të mos marrë drejtimin e asnjë kombëtareje tjetër pas largimit nga Franca.
Sulmuesi i Real Madrid theksoi se mënyra më e mirë për ta nderuar Deschampsin është triumfi në Kupën e Botës, duke i dhuruar një fund të denjë aventurës së tij me kombëtaren franceze.
“Forma më e mirë për ta nderuar është të fitojmë Botërorin, sepse ai dëshiron të fitojë. Ne do të bëjmë gjithçka që ai të përjetojë Kupën e Botës më të mirë të mundshme, duke shpresuar që të jetë e fundit për të”, deklaroi Mbappe në një intervistë për “M6”.
Megjithatë, 27-vjeçari nuk e fshehu dëshirën që Deschamps të mos vazhdojë karrierën në stolin e një kombëtareje tjetër.
“E them këtë sepse shpresoj që ai të mos drejtojë ndonjë përfaqësuese tjetër. Kam dëgjuar zëra për Italinë dhe kombëtare të tjera, por kjo do të ishte e çuditshme”, u shpreh ai.
Mbappe vlerësoi lart ndikimin e Deschamps te Franca, duke theksuar se puna dhe sukseset e tij kanë bërë që shumë federata ta admirojnë.
“Ai do të thotë shumë për ne. Është normale që kombëtare të ndryshme ta dëshirojnë, duke parë gjithçka që ka arritur. Por italianët le të zgjedhin një trajner italian. Didier është francez dhe i përket Francës”, përfundoi sulmuesi francez.





Leave a Reply