Kurti: Jemi të gatshëm për bashkëpunim me opozitën për presidentin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët e koalicionit parazgjedhor, do të jetë bartëse e themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të, duke shprehur optimizëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

 

Deklaratat e tij u bënë pas homazheve te monumenti i heroit Zahir Pajaziti, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Kurti tha se aktualisht procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar plotësisht, pasi sipas tij, votat vazhdojnë të numërohen. Ai theksoi se vetëm pas përmbylljes së këtij procesi mund të nisin bisedimet konkrete për hapat e ardhshëm politikë dhe institucionalë.

“Njëherë jemi ende duke pritur numërimin e votave. Pra, votat janë ende duke ardhur dhe duke u numëruar. Me rastin e përmbylljes së numërimit të votave, ne do të mund të fillojmë të bisedojmë për hapat e ardhshëm”, tha Kurti.

Ai nënvizoi se sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje mbetet fituese e zgjedhjeve së bashku me partnerët e saj të koalicionit, Partinë Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në.

“Duhet ta keni parasysh atë që është evidente përsëri, që Lëvizja Vetëvendosje është fituese pa diskutueshme, bashkë me partnerët tanë të koalicionit parazgjedhor, me Partinë Guxo, Partinë Alternativa dhe PSHDK-në, dhe ne do të jemi bartës të themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”, deklaroi ai.

Kurti tha se është optimist që procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja do të përmbyllet me sukses.

“Unë jam optimist që gjërat do të shkojnë mbarë e mirë, edhe sa i përket konstituimit të Kuvendit, edhe sa i përket formimit të Qeverisë”, u shpreh ai.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së ardhshme të vendit, Kurti tha se ky proces kërkon bashkëpunim me partitë opozitare, për shkak të kërkesave kushtetuese që lidhen me numrin e votave të nevojshme në Kuvend.

“Sa i përket zgjedhjes së Presidentit, përkatësisht Presidentes së re, ju e dini që këtë duhet bërë në bashkëpunim me opozitën, për shkak të asaj kërkesës së një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese para më shumë se një dekade që kërkohen 80 deputetë t’i kenë votat e tyre të fshehta në kuti”, tha Kurti.

Ai shtoi se Vetëvendosje mbetet e gatshme për komunikim dhe bashkëpunim me partitë e tjera parlamentare, duke theksuar se kjo qasje nuk është e re.

Sipas Kurtit, gjatë muajve të fundit janë bërë disa oferta konkrete për opozitën, përfshirë mundësinë e bashkëqeverisjes me LDK-në, si dhe propozime të ndryshme për tejkalimin e bllokadës institucionale.

“Jemi të gatshëm, jemi të vullnetshëm, jemi të interesuar për komunikim e për bashkëpunim, por kjo nuk është asgjë e re nga ana jonë. Ju e dini që në këtë pranverë që po i vihet fundi, si Qeveri e Republikës së Kosovës, kemi bërë oferta të jashtëzakonshme për opozitën. Por, ne kemi propozuar, ata kanë refuzuar”, deklaroi ai.

Kurti rikujtoi edhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe presidentit, duke përmendur kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut, të cilat më pas ishin tërhequr.

Ai tha se Vetëvendosje kishte propozuar edhe modele të tjera kompromisi, duke përfshirë mundësinë që opozita të propozonte tre kandidatë për president, ndërsa mazhoranca do të mbështeste njërin prej tyre.

Po ashtu, Kurti përmendi edhe propozimin që posti i kryetarit të Kuvendit t’i takonte LDK-së ose PDK-së, si dhe kandidaturën e aktivistes së shoqërisë civile, Feride Rushiti, duke theksuar se të gjitha këto iniciativa ishin refuzuar nga opozita.

“Nga ana jonë, ne kishim iniciativë, ne kishim oferta e propozime, dhe ne kishim konstruktivitet dhe aktivitet. Shpresojmë që të këtilla do t’i shohim edhe tiparet e opozitës për dallim prej kësaj pranvere që po i vjen fundi”, tha Kurti.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *